​Veseli përkujton vëllain e Haradinajt: I paharruar qoftë kujtimi i Luanit

23 vjet më parë, ra në fushën e betejës Luan Haradinaj, njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka thënë se sakrifica sublime e Luan Haradinajt dhe heronjve të tjerë të UÇK-së duhet të shërbejë si burim frymëzimi për të gjitha brezat e ardhshëm.

“Rruga që mban emrin e tij, më kujton rrugëtimet e vështira që kam bërë me të kur jemi nisur prej Tropojës, dhe kemi kaluar kufirin afër Rrasës së Zogut për të dalë në Jabllanicë. Lajmi për vrasjen e tij na tronditi rëndë të gjithëve dhe ende sot e kujtoj me dhimbje atë moment. Rruga që zgjodhi Luani, ishte rruga fisnike e luftës për liri që ka bërë të mundur ditët e pavarësisë që gëzojmë sot. Sakrifica sublime e tij dhe e shumë heronjve të tjerë, duhet të shërbej si burim frymëzimi për të gjitha brezat e ardhshëm, të cilët nuk duhet ta marrin lirinë të mirëqenë. I paharruar qoftë kujtimi i Luanit dhe i gjithë luanëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që me gjakun e derdhur shkruan kapitullin më të ndritur të historisë bashkëkohore të kombit shqiptar”, ka shkruar Veseli në një postim në Facebook.