​Veseli: Marrëveshja për qeverinë e re, sukses i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka deklaruar se marrëveshja e sotme për qeverinë e re ndërmjet BDI-së së Ali Ahmetit dhe LSDM të Zoran Zaev, është sukses i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kryeministri i parë shqiptar në shtetin fqinj e bën të veçantë dhe historike këtë marrëveshje.

“Urimet e mia dhe të PDK-së për sjelljen e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje, si dhe për BDI-në e Ali Ahmetin që po vazhdojnë t’i përfaqësojnë më së miri interesat e shqiptarëve atje”, ka shkruar Veseli.

LSDM dhe BDI arritën marrëveshje koalicioni për Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, me mandat 4-vjeçar. Zaev paralajmëroi se do të shfuqizohet Qeveria e Përzhinos dhe se në vend të saj në 100 ditët e fundit Qeverinë do ta udhëheqë një kryeministër tjetër i propozuar nga BDI-ja.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i Kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

Ai tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.