​Turqi: Numër rekord i rasteve të reja COVID-19, më i larti që nga 6 janari

Një numër rekord i rasteve të reja të koronavirusit u regjistrua në Turqi sot – 13.755, më i larti që nga 6 janari, pak më shumë se një javë pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi lehtësimin e masave kufizuese në vend.

Numri i përgjithshëm i njerëzve të infektuar u rrit në 2.807.387, ndërsa 66 njerëz vdiqën nga virusi korona në 24 orët e fundit, kështu që numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në 29.160, raporton Reuters.

Javën e kaluar, të hënën, Erdogan njoftoi hapjen e pjesshme të kafeneve, restoranteve dhe shkollave, si dhe lehtësimin e “mbylljeve” gjatë fundjavës, si pjesë e masave që ai i quajti “normalizim i kontrolluar”.