​Trajneri i Sassuolos: Nuk dua të luaj ndaj Milanit nesër

Trajneri i Sassuolos Roberto De Zerbi është shumë i zemëruar me Superligën evropiane saqë do të preferonte të mos luante kundër Milanit nesër.

Sassuolo përballet me Milanin në “San Siro” të mërkurën.

“Rossonerët” janë ndër anëtarët themelues të Superligës dhe De Zerbi pretendoi se ai do të preferonte të mos luante kundër tyre nesër, përcjell KosovaPress.

“Nuk më pëlqen të luaj kundër Milanit sepse ata janë pjesë e këtyre tre klubeve, por nëse shefi i Sassuolos Giovanni Carnevali më detyron, natyrisht, unë do të shkoj,” tha trajneri për “Sassuolo Channel”.

“Unë jam aq i zemëruar sa që fola për këtë me lojtarët për 30 minuta dje,” shtoi ai.

“Ndonjëherë është e drejtë të ndalemi, siç bënim në shkollë, jam i zemëruar sepse u bë një grusht shteti të dielën. Për futbollin, është ekuivalent me një grushti shteti.”

“Futbolli i përket të gjithëve dhe është meritokratik, ata lëshuan një deklaratë në mesnatë në faqen e tyre të re. Ishte sikur ata po vendosnin flamujt e tyre në një territor që i kishin marrë dikujt tjetër.”, tha në fund De Zerbi.