​Tomë Gashi thotë se nuk e respekton vendimin e Kushtetueses nëse bie në kundërshtim me Kushtetutën

Avokati Tomë Gashi ka paralajmëruar se nuk do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në Info Magazine të Klan Kosova, Gashi tha se sipas dispozitave të Kushtetutës, Kushtetuesja nuk ka variant tjetër përveç se ta aprovojë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pa marrë parasysh se ne nuk kemi pasur deklarime konkrete të zyrtarë të lartë të VV-së, kuptimi është i tillë që Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkruajë Kushtetutën. Ajo mund të ndryshohet vetëm nga Kuvendi i Kosovës. Ata s’mund të bien kushtetutë të re dhe s’mund ta ndryshojnë asnjë nen të saj”, ka thënë ai.

Gashi ka përkujtuar se në kërkesën e Vetëvendosjes të datës 30 prill, dërguar në Kushtetuese, kjo parti ka kërkuar në faqen e fundit vetëm vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin dhe se Kushtetuesja nuk mund të nxjerrë vendime tjera të cilat nuk janë kërkuar.

“Ka aludime në media se shumica e gjyqtarëve do ta sjellin një aktgjykim të mesëm, me të cilin do ta anulojnë dekretin e presidentit Thaçi, pastaj do ta obligojnë VV-në që brenda një afati 15 ditor ta japë emrin e mandatarit dhe nëse VV nuk e bën, atëherë Thaçit do t’i jepej mundësia e nxjerrjes së një dekreti të ri”, u shpreh avokati Gashi.