​Tjetër dështim për Chelsean, mposhtet edhe nga Wolves

Humbja na Evertoni javën e kaluar duket se e ka lënë me pasoja skuadrën e Chelseat e cila edhe sonte ka pësuar humbje nga Wolverhamptoni.

Pjesa parë u mbyll pa gola dhe u zhvillua një ndeshje mjaftë e fortë, përcjell KosovaPress.

Me të filluar pjesa e dytë, Chelsea kaloi në epërsi me golin e Olivier Giroud në minutën e 49’, por vendasit reaguan dhe ia dolën që ta shënojnë golin e barazimit në minutën e 66’ të ndeshjes me golin e Podences.

Por, vendasit nuk u ndalën e me kaq pasi e realizuan edhe golin e fitores në minutën e gjashtë shtesë të takimit dhe golin e fitores e realizoi Neto.

Ky rezultat nuk i konvenon aspak skuadrës së drejtuar nga Frank Lampard e cila konsiderohet si kandidate serioze për titull.

Pas xhiros së 13-të, Chelsea pozicionohet në vendin e pestë me 22 pikë të mbledhura, tre më pak se Tottenhami që është në vendin e parë por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe nesër ballafaqohet me Liverpoolin.