​Tërmeti trondit Alaskën: Shkencëtarët paralajmërojnë ‘mega-cunami’ brenda një viti

Gadishulli i Alaskës u godit nga një tërmet me fuqi 7.5 të hënën pasdite, duke shkaktuar një paralajmërim për cunami në rajon.

Por kërcënimi nuk ka mbaruar, pasi shkencëtarët thonë se akullnajat që po shkrihen në rajonin e Alaskës mund të lëshojnë një ‘mega-cunami’, me një mur të lartë shkatërrues me ujë.

Sipas tyre, tërheqja e akullnajave në Prince William Sound – një kanal i ngushtë detar në bregdetin jugor të shtetit amerikan të Alaskës – tani po destabilizon shpatet malore dhe një cunami masiv mund të shfaqet në vitin 2021.

Një grup ekspertësh në një letër të hapur drejtuar autoriteteve të Alaskës thanë që shpatet e maleve që u shembën, shkaktuan valë të larta 633 metra në vitin 2015.

Studiuesit gjithashtu vunë re se në Grenlandën perëndimore, një rrëshqitje toke në qershor 2017 prodhoi një cunami që la të vdekur katër njerëz dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit Nuugaatsiaq.

Sipas gjetjeve, cunami mund të ndikojë në zonat që vizitohen shpesh nga turistët, anijet e peshkimit dhe gjuetarët. Ekipi i shkencëtarëve beson se ekziston mundësia që ky cunami i udhëhequr nga rrëshqitja “të ndodhë qysh brenda vitit të ardhshëm, dhe me gjasë brenda 20 vjetësh.”

Letra u nënshkrua nga shumë shkencëtarë, përfshirë Chad Briggs, nga Universiteti i Alaska Anchorage, studiuesi i Universitetit Shtetëror të Ohajos, Chunli Dai dhe Ronald Daanen, nga Divizioni i Alaskës i Sondazheve Gjeologjike dhe Gjeofizike.

Chunli Dai analizoi imazhet e akullnajës duke përdorur ArcticDEM që është një set i të dhënave me rezolucion të lartë dhe zbuloi se e gjithë faqja e malit po zhvendosej ngadalë.

Nëse kjo rrëshqitje dheu gjigande dhe në lëvizje të ngadaltë shembet papritmas në fjordin e ngushtë poshtë, atëherë do të shkaktonte një cunami jashtëzakonisht të madh – për shkak të formës së fjordit që do të amplifikonte valën.

Pasi analizoi imazhet nga Landsat, shkencëtari Dai tha se është e qartë se “një pjesë e tërë e malit midis akullnajës Cascade dhe akullnajës Barry është duke u shembur në ujë”.