​Tabelat “KM”, nisin takimet informuese me Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve

Në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi informues me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve.

Me këtë rast u diskutua për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29.06.2022 mbi procesin e regjistrimit të mjeteve, sipas udhëzimit administrativ për regjistrimin me targa RKS të mjeteve që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA”.

Udhëheqësit u njoftuan se qytetarët që posedojnë targa të tilla dhe regjistrojnë mjetin me targa RKS, do të lirohen nga obligimi për të paguar taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, si dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit.

Në takim u diskutua për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që ky proces të fillojë nga data 1 gusht 2022 dhe të përfundojë më 30 shtator 2022, si dhe për informimin e qytetarëve me hapat konkretë që duhen ndjekur për regjistrimin e automjeteve.

Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë regjistrimin e mjeteve në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në komunën ku e kanë vendbanimin.

Ndryshe, vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe obligon Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.