​Sveçla viziton komunat e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe pikën kufitare në Jarinje

Në vazhdën e mobilizimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës në luftimin e pandemisë Covid-19, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot komunën e Vushtrrisë, atë të Mitrovicës dhe pikën kufitare në Jarinje, për t’u njohur me gjendjen aktuale me koronavirus.

Ai gjatë takimit me nënkryetarin e Vushtrrisë Besim Muzaqi është njoftuar për gjendjen në përgjithësi e veçanërisht për fshatin Smrekonicë ku tashmë janë disa të infektuar. Ndërsa gjatë vizitës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, Sveçla është njohur me kushtet e banimit dhe u tha se aty ka kapacitet për strehimin dhe akomodimin e 686 personave.

Sveçla gjithashtu vizitoi kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, “Belvedere” në Mitrovicë, për të parë kushtet e akomodimit në rast se vendi ynë do të ballafaq ohet me një fluks të refugjatëve. Aty u diskutua edhe për mundësinë e akomodimit të personave të riatdhesuar nga diaspora dhe janë të detyruar të futen në karantinë.

Pas kësaj vizite, u.d. ministri Sveçla u takua me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, ku u bisedua rreth ballafaqimit me Covid-19 dhe mundësinë e marrjes së masave shtesë në kuadër të kësaj komune.

Në fund ushtruesi detyrës së ministrit vizitoi edhe pikën kufitare në Jarinje ku u interesua për mbarëvajtjen e punës. Nga përgjegjësit në këtë pikë kufitare, u bë e ditur për procedurat e kontrollit të cilat po bëhen duke u respektuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.