​Sveçla thotë se po hetohen disa pista për vrasjen në Gllogjan të Deçanit

Në më shumë se dy pista janë duke u kryer hetimet nga ana e Policisë së Kosovës për rastin e vrasjes së trefishtë që ka ndodhur mbrëmë në Gllogjan të Deçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, deklaroi se kanë marrë informacione të ndryshme për rastin dhe se të njëjtat janë duke u trajtuar me kujdes nga ana e Policisë së Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që nëse kanë çfarëdo informacioni t’i drejtohen Policisë së Kosovës në mënyrë që ky rast të zbardhet sa më shpejtë.

“Mund të deklarojë se tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme të cilat Policia e Kosovës nën direktivat e Prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista të cilat të gjitha kapacitetet e Policisë janë duke i eliminuar apo duke i hetuar. Unë po ashtu nuk po them bëjë ftesë, unë bëjë ultimatum vrasësit që të dorëzohet për shkak se për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë se kushdo që ndihmon vrasësin implikohet në vepër të rëndë penale, nuk bëhet më fjalë për çfarëdo lloj solidariteti me vrasësin e dy nxënësve dhe shoferit të autobusit. Prandaj, sa më parë që dorëzohet aq më mirë edhe për rrethin e tij, por aq më mirë edhe për qytetarët e gjithë Kosovës”, tha ai.

Ministri Sveçla tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe me AKI-në, në mënyrë që rasti të zbulohet sa më shpejtë.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se aktualisht janë duke bërë ekzaminimet, pastrimi i terrenit dhe shikimi i detajuar i rrethinës së ngjarjes.

Ai tha se sipas dyshimeve fillestare vepra është kryer nga një person, por që u shpreh se mund të ketë ndërlidhje me më shumë persona.

“Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimet, aktualisht jemi duke bërë pastrimin e terrenit, shqimin detajuar të rrethinës së ngjarjes, përfshirë këtu edhe rrethinat apo pjesët anësore të vendit të ngjarjes, përkatësisht pjesët ku potencialisht mund të ketë ndonjë provës shtesë. Fatkeqësisht kemi pas një mot shumë të keq gjatë gjithë kohës që na ka penguar në këtë shiqim, na ka penguar që disa mjetet teknike dhe mjete të tjera që ndihmojnë në gjetjen e gjurmëve të ndryshme. Është dashtë që pastrimi i terrenit të filloj me vonesë. Gjitha njësitet janë në vend të ngjarjes duke e pastruar terrenin, mirëpo aktualisht jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshme të informacioneve rreth rastit, kemi sjellë njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshme të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që t’i trajtojnë këto informacione dhe të bëjnë ekzaminimet më të shpejtë të evidencave dhe provave që i kemi gjetur në vend të ngjarjes apo që mund të gjenden gjatë pastrimit të vendit të ngjarjes”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se aktualisht po flasin për një person që mund të ketë kryer vrasjen, por që tha se mund të ketë ndërlidhje edhe të personave të tjerë.

Sa i përket motiveve, Mehmeti tha se është shumë herët që të flitet për një gjë të tillë.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy apo tri pistave të mundshme të hetimit, të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur dhe evidencat dhe provat materiale të çojnë në këtë drejtim. Aktualisht po bisedojmë për një person por me mundësi të ndërlidhjes edhe të personave të tjerë, që kuptohet se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme që do të na tregojnë saktë nga ka ardhë, ku ka qëndruar potencialisht dhe ku ka shkuar… Thash që kemi informacione nga më të ndryshme dhe për shkak të gjendjes në të cilën ka ndodhur rasti ne jemi duke përpunuar çdo informacion me shumë kujdes sepse janë dy-tri pista të ndryshme që nënkupton që janë dy-tri motive të ndryshme të cilat duhet përpunohen gradualisht. Ne jemi duke i përpunuar informacione që jemi duke i marrë nga dëshmitarët, përkatësisht nga qytetarët, njerëzit që kanë lidhje rrethanore apo drejtpërdrejt me rastin. Mirëpo gjitha këto janë duke iu bashkangjitur edhe provat teknike. Është shumë herët që të themi se ky do të ishte motivi, por rrethanat, dëshmitë informacionet që janë duke ardhur kanë me na sjellë tek një motiv potencial i cili mund të jetë”, tha ai.

Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë që të zbardhet sa më shpejtë ky rast.

“Ka qenë një rast që na ka shokuar, na ka tronditur të gjithëve, aq më tepër ne kemi investuar shumë me breza e me breza që ta kemi një ambient të qetë dhe Deçani shquhet që është një ambient i qetë, një qytet i qetë që nuk i ka këto problematika. Mirëpo, sido që të jetë mbrëmë ka ndodhur ai krimi makabër që na ka lënë pa fjalë, sepse me gjuajt dikush në fëmijë që po rriten, që po shkojnë në shkollë është e papranueshme. Më lejoni që t’i bashkohen apelit që çdo kush që ka ndonjë informatë për këtë rast të ju drejtohet organeve relevante”, tha ai.

Mbrëmjen e djeshme, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të autobusit në fshatin Gllogjan të Deçanit, kanë mbetur të vdekur tre persona, ndërsa një është plagosur. Dy nga të vdekurit janë nxënës, ndërsa personi i tretë është shoferi i autobusit.