​Sveçla kërkon nga Pacolli të tregojë vendndodhjen e tij

Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri, dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit. Për këtë po dyshohet se ka skenar që Hashim Thaçi mund ta ketë futur mbrëmë kreun e AKR-së Behgjet Pacollin në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se nëse konfirmohet se kreu i AKR-së ka qenë në veturën e presidentit, atëherë Thaçi duhet t’i nënshtrohet masave të karantinimit ose vetizolimit në pajtim me vendimet e marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në Kosovë.

Sveçla për këtë ka bërë të ditur se nuk kanë kontaktuar organet e rendit në Shqipëri, por që ekzistojnë dyshimet se ka mundur të ndodhë një skenar i tillë.

“Dyshimi që ka lindur me lëvizjet e zotëri Pacollit, pra nëse aktualisht personi në fjalë gjendet në Kosovë ka përligjur skenarët që po qarkullojnë kudo. Për ne nuk janë shqetësim skenarët, por më shumë fakti se nëse del i vërtetë objekti i tyre, vihet në dyshim qenësia e ligjeve të Kosovës si dhe vendimet e qeverisë në kuadrin e luftimit të pandemisë. Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e policisë kufitare që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturë e dytë ndodhet presidenti. Po ashtu është vërejtur që presidenti ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Po ashtu, policia për shkak të xhamave të zi nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona të tjerë ulur prapa. Vetura e presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër në të cilën ka qenë vetëm shoferi. Për sqarim në bazë të ligjit për protokollin shtetëror çdo vizitë e presidentit jashtë kufijve qoftë zyrtare apo private duhet që të komunikohet tek protokolli shtetëror I Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që protokolli i shtetit përkundër dispozitave ligjore në fuqi nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Thaçit në Shqipëri”, tha ai.

Sveçla tha se nuk kanë konfirmime që presidenti Thaçi ka qenë i shoqëruar nga kryetari i AKR-së Pacolli. Megjithatë, një skenar i tillë sipas tij, nëse provohet të jetë i vërtetë, paraqet mos respektim të organeve të vendit.

Ndër të tjera, ai tha se shkelja e vendimeve të hartuara nga Ministria e Shëndetësisë me qëllim të kontrollimit të pandemisë, është vepër penale.

“Nëse vërtetohet që presidenti ka qenë i shoqëruar nga zotëri Pacolli obligohet që t’i nënshtrohet karantinës apo vetizolimit në linjë me historikun e sëmundjes. Nisur nga kjo, nëse me të vërtetë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit të Kosovës me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë obligimin për karantinim ose vetizolim për të cilin ishte i informuar edhe para nisjes për Kosovë. Ne i kërkojmë presidentit të Kosovës që të përgjigjet se pse ka vendosur që të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror. Ndërsa, zotëri Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet në publik në një moment të caktuar brenda kufijve të Kosovës, policia do të marrë masat në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Sveçla.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme tha se shpreson që një skenar i tillë të mos ketë ndodhur. Ai tha se nuk kanë pasur kërkesë nga kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli që të hyjë në Kosovë, pasi në këtë rast ata si ministri do ta trajtonin një gjë të tillë.