​Sveçla kërkon bashkëpunim nga organet e drejtësisë për masa ligjore ndaj shkelësve të masave kundër koronavirusit

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, me të cilin ka biseduar në lidhje me situatën me koronavirus dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Me këtë rast, Sveçla kërkoi bashkëpunim nga organet e drejtësisë në kontekstin e marrjes së veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës, e të cilat janë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejme të Covid-19.

Kryeprokurori Lumezi e siguroi ministrin se Prokuroria e Shtetit do të jetë në dispozicion dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendsh me dhe Administratës Publike, por edhe me qytetarët në mënyrë që kjo situatë e rëndë të tejkalohet sa më lehtë të jetë e mundur.

Gjithashtu, kryeprokurori theksoi se është e domosdoshme të respektohen vendimet dhe udhëzimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, vendime këto që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe në të mirën e qytetarëve.