​‘Super e marta’, demokratët në SHBA vazhdojnë zgjedhjet për kandidatin kundër Trump

Kush ka shansin më të madh për t’u bërë kandidat presidencial i Partisë Demokratike amerikane mund të jetë më e qartë pas zgjedhjeve të nesërme në 14 shtete federale, të ashtuquajturat “Super e martë”.

Në garën për kandidatin demokrat për të garuar kundër presidentit Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, mbeten gjashtë politikanë: ish-nënpresidenti i SHBA Joseph Biden, 77-vjeç, senatori i Vermont, Bernie Sanders, 78-vjeç, miliarderi Michael Blumberg, 78-vjeç, senatoret nga Massachussetts dhe Minnesota, Elizabeth Warren (70) dhe Amy Klobuchar (59) dhe kongresistja Talsi Gabbard (38).

Demokratët do të votojnë në 14 shtete – California, Utah, Colorado, Oklahoma, Texas, Minnesota, Arkansas, Tennessee, Alabama, Carolina e Veriut, Virginia, Massachusetts, Vermont dhe Maine, dhe Samoa Amerikane.

Rëndësia e zgjedhjeve është që 1.344 nga 3,979 (34 për qind) delegatët janë zgjedhur n 14 shtete dhe një territor për të vendosur kandidatët presidencialë të partisë në Konventën Kombëtare Demokratike nga data 13 deri 16 korrik, në Milwaukee, për të zgjedhur kandidatin për president dhe nënpresident.

“Super e marta” është gjithashtu domethënëse pasi nesër, ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, Michael Blumberg, një nga burrat më të pasur në botë, hyn në betejën për vota.

Gjithashtu “Super e marta” duhet të tregojë nëse do të jenë dy ose tre politikanë të mbetur në luftën për nominimin demokratik apo nëse Sanders do të marrë një numër të pa arritshëm të delegatëve.

Në zgjedhjet e nesërme, Sanders konsiderohet si i preferuari në rajonin e tij të Vermontit, si dhe në Utah, Colorado dhe Maine, ndërsa Biden mund të ketë avantazh në shtetet jugore amerikane si Texas, Alabama dhe Carolina e Veriut.

Në zgjedhjet e Partisë Demokratike më 2016, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton m poshti Bernie Sanders, por humbi ndaj Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Super e marta” ekziston edhe në Partinë Republikane të Trump, e cila gjithashtu mban zyrtarisht zgjedhje të brendshme për kandidatin presidencial. Sidoqoftë, ato nuk konsiderohen të rëndësishme, pasi presidenti aktual amerikan nuk ka rivalë seriozë dhe humbja e tij është e paimagjinueshme.