​Suga: Lojërat Olimpike në Tokio do të mbahen në verë

Lojërat e shtyra Olimpike dhe ato Paraolimpike, të cilat supozohej të mbaheshin në Tokio vitin e kaluar, do të organizohen në verë, tha kryeministri japonez Yoshihide Suga dhe vendimi u mor pavarësisht shqetësimeve në lidhje me rritjen e numrit të njerëzve të infektuar me virus.

Suga tha se Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike do të mbahen në verë dhe se ata do të jenë të sigurt.

Lojërat Olimpike do të fillojnë më 23 Korrik dhe ato Paraolimpike një muaj më vonë – më 24 Gusht, raporton BBC.

Një shtesë prej 2.29 miliardë eurosh (2.8 miliardë dollarë) do të nevojiten për të mbajtur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e virusit dhe këto mund të jenë Lojërat Olimpike Verore më të shtrenjta në histori.

Shumica e qytetarëve japonezë janë kundër mbajtjes së Lojërave Olimpike 2021, sipas sondazheve të opinionit publik. Ata besojnë se është më mirë të anulohen ose lëvizin Olimpiadat, por kryeministri Japonez thekson se ata do të jenë një “simbol i solidaritetit global”.

Numri i njerëzve të infektuar me virusin korona në Japoni është rritur në ditët e fundit, dhe Tokio konfirmoi për herë të parë më shumë se një mijë raste të reja të infeksionit në një ditë.

Në Japoni, rastet e një lloji të ri të virusit korona të zbuluar në Britaninë e Madhe janë konfirmuar dhe kryetari i Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike, paralajmëroi se numri i njerëzve të infektuar mund të rritet ndjeshëm.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, deri më tani në Japoni janë regjistruar 239.041 raste të koronavirusit dhe gjithsej 3.337 pacientë kanë vdekur.