​Suedia ndryshon strategjinë e saj për luftimin e koronavirusit

Qeveria e Suedisë paraqiti një ligj sot që jep kompetenca të reja të përkohshme për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe plani është që zbatimi i tij të fillojë në janar.

Qeveria, e cila deri më tani është mbështetur kryesisht në rekomandime, shpjegoi se ligji i ri do ta lejojë atë të miratojë masa kufizuese dhe të vendosë sanksione në rast të mosrespektimit.

Kështu do të jetë në gjendje të mbyllë dyqanet, qendrat tregtare ose transportin publik, apo edhe të kufizojë numrin e njerëzve që lejohen të mblidhen në vende të caktuara publike, në vend që të vendosë masa të përgjithshme.

Qeveria dëshiron që ligji të hyjë në fuqi më 10 janar, por ai do të duhet të miratohet nga parlamenti së pari.

Suedia ka pasur një strategji atipike dhe të diskutueshme që nga fillimi i pandemisë, ajo nuk ka futur masa izolimi siç kanë bërë vendet e tjera evropiane.

Kur numri i të infektuarve dhe të vdekurve u rrit, qeveria kufizoi numrin e njerëzve në ngjarje publike në tetë nga mesi i nëntorit dhe më 18 dhjetor, për herë të parë, rekomandoi mbajtjen e maskave në transportin publik dhe masa të tjera kufizuese.

Mësimi në distancë në shkollat e mesme është zgjatur deri më 24 janar.

Zyrtarët e shëndetësisë këmbëngulën në nevojën për të miratuar masa afatgjata, duke vlerësuar se lufta kundër pandemisë është “një maratonë, jo një vrapim i shpejtë”.

Suedia nuk ka një ligj që lejon qeverinë të kufizojë lirinë e lëvizjes në kohë paqeje, siç është rasti me futjen e karantinës për shkak të një pandemie.

Suedia, e cila ka një popullsi prej 10.3 milionë, deri më tani ka pasur 396.048 të infektuar me koronavirus, dhe 8.279 njerëz kanë vdekur si rezultat i sëmundjes.