​Spanjës i dalin 2,000 vdekje më pak nga koronavirusi

Qeveria spanjolle ka rishikuar të dhënat për viktimat e pandemisë koronavirus në një nga vendet më të prekura në botë dhe i zvogëloi ato në 26.834 vdekje, ose 1.918 më pak sesa të dielën.

“Sistemi i ri i gjurmimit lejon shmangien e numërimit të dyfishtë të rasteve, vlefshmërinë e të dhënave të lidhura me koronavirusin dhe eliminimin e vdekjeve që i atribuohen gabimisht Covid-19,” shpjegoi drejtori i Shërbimeve të Urgjencës, Fernando Simon.

Të dielën, Spanja njoftoi se gjithsej 28.752 njerëz kishin vdekur, transmeton KosovaPress.

“Dallimi i 1900 personave është i madh, ne po mundohemi ta kontrollojmë, këto janë të dhënat që janë në dispozicion për ne,” shtoi Simon.

Ministria rishikoi gjithashtu numrin e rasteve të konfirmuara të infeksionit, por ndryshimi është shumë më i vogël se numri i vdekjeve.

“Kjo ndodh gjatë të gjitha epidemive kur për shkak të zhvillimeve kemi shumë pak kohë për të kontrolluar të dhënat,” shpjegoi Simon.