​Spanja fillon vaksinimin e banorëve kundër COVID-it falas në janar

Spanja do të vaksinojë banorët e saj kundër koronavirusit falas nga janari, së pari të moshuarit dhe personelin mjekësor, tha sot ministri i Shëndetësisë Salvador Illa, duke paraqitur planin e vaksinimit.

Spanja synon të blejë rreth 140 milionë doza të vaksinës, të cilat mund të vaksinojnë të gjithë popullsinë prej 47 milionësh deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Në fazën e parë, nga janari në mars, vaksina do të jetë në sasi shumë të kufizuara, andaj përparësi do t’u jepet njerëzve të pambrojtur në shtëpitë e pensionit, personelit që kujdeset për ta dhe punonjësve shëndetësorë. Vaksina do të jetë falas dhe rezultati do të jetë më i mirë nëse banorët vaksinohen vullnetarisht,” tha ministri Illa në një konferencë shtypi në Madrid.

Faza e dytë e vaksinimit do të zgjasë nga marsi deri në qershor, kur vaksina do të jetë më e disponueshme. Pas qershorit, Spanja do të hyjë në fazën e tretë kur vaksina duhet të jetë në dispozicion për një popullatë më të gjerë.