​Spahiu: Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet këtë vit

Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, thotë se tani është momenti vendimtar kur Kosova duhet të negociojë me Serbinë çështjen e njohjes, në të kundërtën çmimi për njohje në të ardhmen do të jetë shumë më i lartë sesa tani.

Sipas tij, lufta në Ukrainë dhe pozicionimi i Serbisë ndaj kësaj lufte, ka bërë që Perëndimi ta ndihmojnë fuqishëm Kosovën pikërisht tani, prandaj siç thotë ai “pazaret e mëdha” duhet bërë pikërisht tani.

Në një intervistë për KosovaPress, Spahiu thotë se 31 korriku ka rrezikuar të shkaktojë luftë dhe dështim total nga ana e Qeverisë së Kosovës, si dhe kthim prapa për disa vite, sikur të mos ishte vendimi i mençur i ambasadës amerikane për tërheqje.

“Është çasti vendimtar kur Kosova duhet të negociojë me Serbinë për punën e njohjes dhe pazaret përfundimtare duhet bërë tani sepse është lufta në Ukrainë, se përndryshe ikën ky moment shumë i rëndësishëm të cilin Perëndimi dhe aleatët e Kosovës e kanë fiksuar që ta ndihmojnë Kosovën në këtë moment më të përshtatshëm, ku aleatët më të vakët të perëndimit siç janë Greqia, Spanja, Sllovakia etj, nga lufta në Ukrainë, tani mund të jenë më të prirur drejt njohjes së Kosovës… Po patjetër luftë. Më 31 korrik u pa që presidenti Vuçiq ka dyfishuar numrin e banditëve në veri të Kosovës, i ka forcuar strukturat paralele atje, dhe sikur të mos ishte vendimi i mençur i ambasadës amerikane që të sugjerohet tërheqja, sigurisht që do të ishte një dështim komplet i Qeverisë së Kosovës dhe policisë së Kosovës në këtë rast, dhe do të ktheheshim prapa ku me ditë për sa vite”, thotë Spahiu.

Profesori pretendon se Qeveria e Kosovës duhet t’i josh serbët për regjistrimin e automjeteve të tyre me targa RKS, duke iu krijuar lehtësira, sidomos atyre të cilët i regjistrojnë në afat kohor sa më të shpejtë.

”Qeveria e Kosovës duhet të procedojë me lëshimin e targave, duhet t’i joshë serbët, duhet të krijojë një atmosferë që t’ju dëshmojë se më mirë ju bie atyre që i regjistrojnë automjetet e tyre më herët sesa më vonë… Ta zëmë p.sh. dy javët e para me pas falas, dy javët e dyta një pagesë, pastaj ai që e regjistron pas afatit prej dy muajsh, të paguajë pagesën e plotë sikurse çdo qytetar i Kosovës që dëshiron ta regjistrojë automjetin e tij. Ky program do të duhej të ishte më nxitës, duke pasur parasysh që tani popullata serbe në veri të Kosovës kur e ka pa që presidenti Vuçiq ka lëshuar pe për punën e letërnjoftimeve, e dinë se ai një ditë do të lëshojë pe edhe për automjetet”, thotë ai.

Duke thënë se Kosova duhet t’i jap diçka Serbisë në këmbim të njohjes, Spahiu thekson se aleatët strategjikë të Kosovës presin që tani të bëhet pazari përfundimtar me Serbinë.

Sipas tij, ikja e këtij momenti do të thotë dështim shumë i madh për Kosovën derisa thekson se më vonë çmimi për njohje do të jetë shumë më i lartë sesa tani.

Ai tërheq vëmendjen duke thënë se asociacioni duhet të jetë monedhë për marrjen e njohjes dhe kjo nuk guxon të miratohet para njohjes.

“Aleatët strategjikë të Kosovës, e që janë ShBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe dhe Turqia, e shohin të arsyeshme që tani të bëhet pazari përfundimtar me Serbinë dhe ikja e këtij momenti do të thotë një dështim shumë i madh për Kosovën. Qysh moti presidenti Trump, Biden, Merkel, Macron, tani kancelari Shcholz etj, kanë thënë që Kosova duhet t’i jap diçka Serbisë, në këmbim për marrjen e njohjes. Kjo nënkupton një autonomi më të madhe për serbët në Kosovë, nga ajo që kanë marrë me Ahtisarin… gjë që për Kosovën natyrisht është një kosto shumë më e madhe dhe nuk është një interes kombëtar. Por interes kombëtar është natyrisht marrja e njohjes nga Serbia… Gjithsesi asociacioni nuk bënë të miratohet pa e marrë njëkohësisht njohjen. Asociacioni duhet të jetë monedhë për marrjen e njohjes… Unë shpresoj se zgjidhja finale të bëhet këtë vit, brenda këtij viti kalendarik. Nëse s’bëhet tani sa është lufta në Ukrainë, çmimi për njohje në të ardhmen do të jetë shumë më i lartë sesa tani”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia të shtunën kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se “sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”.