​Smaka: Nëse dështon marrëveshja për koalicion, të formohet qeveri teknike

Njohësi i çështjeve juridike dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka thotë se vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën për formimin e qeverisë së re.

Smaka thekson se ajo i ka në dispozicion dy afate, 15 dhe 10 ditë, dhe nëse dështon në këto dy afate, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet e reja ose të formohet një qeveri të teknike.

Sipas Smakës, kjo e fundit do të ishte më e dobishme për Kosovën në këto rrethana në të cilat ndodhet vendi.

Afati kushtetues për formimin e Qeverisë së Kosovës po rrjedh, ndërkohë që kanë mbetur edhe 10 ditë për mandatarin Albin Kurti që të arrijë marrëveshje me partitë politike për përbërjen e kabinetit qeveritar.

Ky afat përfundon më 5 shkurt dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon, asaj Kushtetua i jep edhe një mundësi tjetër, në një afat prej 10 ditësh për të formuar qeverinë.

Por, një mundësi e tillë nuk ofrohet në asnjë formë partisë së dytë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, konsideron kështu njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka.

Vetëvendosje tash e tre muaj negocion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një marrëveshje që do të rezultonte me koalicion qeverisës.

Smaka thotë se nëse marrëveshja mes dy partive dështon, atëherë shkaktare kryesore është LDK, që sipas tij, nuk duhet të diskutojë çështjen e presidentit.

Ai thotë se është e pranueshme të kenë polemika e marrëveshje për ministri e poste të tilla, por jo edhe për çështjen e presidentit.

Sipas Smakës, nëse dështon marrëveshja, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte formimi i qeverisë teknike që do të procedonte tutje me çështjen e buxhetit dhe disa të tjera të rëndësishme.

Pastaj, brenda një viti thotë të bëhej përgatitja e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që pasi të bëhet reformimi i sistemit zgjedhor të shkohet me zgjedhje.

Këtu Smaka kritikon kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për të cilën thotë se nuk ka ditur të bëjë organizimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Riza Smaka një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, konsideron që zgjedhjet e reja nuk do të ishin në dobi të vendit aktualisht.