​Shtyhet ndeshja Tottenham-Rennes dhe pezullohen stërvitjet e klubit anglez

Skuadra angleze Tottenham Hotspur ka njoftuar se nuk do të luajë nesër me Rennes në Ligën e Konferencës së Evropës dhe stërvitjet e tyre janë ndërprerë për shkak të një numri të madh të lojtarëve të infektuar me Covid-19.

Conte tha në konferencën e sotme për shtyp se ishin tetë lojtarë dhe pesë anëtarë të stafit që kishin rezultuar pozitivë me COVID-19.

“Tani, me siguri, ne jemi pak të frikësuar. Çdo ditë, ne kemi më shumë raste pozitive”, tha Conte të mërkurën.

Duket se situata u përshkallëzua, sepse vetëm disa orë më vonë, Tottenhami lëshoi një deklaratë duke konfirmuar se ndeshja e tyre në Europa Conference League e planifikuar për të enjten nuk do të zhvillohet.

“Mund të konfirmojmë se ndeshja jonë në shtëpi e Grupit G të Ligës së Konferencës së UEFA Europa League kundër Stade Rennais nuk do të zhvillohet nesër pas një numri rastesh pozitive me COVID-19 në Klub.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Tottenhami.

“Diskutimet janë duke vazhduar me UEFA-n dhe ne do të ofrojmë një përditësim të mëtejshëm për këtë ndeshje në kohën e duhur.Për më tepër, pas diskutimeve me Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore dhe këshilltarët e DCMS, klubi është këshilluar të mbyllë qendrën e trajnimit në këtë kohë, në interes të shëndetit dhe sigurisë së lojtarëve dhe stafit”, thuhet në fund të këtij njoftimi.