​Sherifi thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet ta ketë në themel drejtësinë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate Bilall Sherifi, mori pjesë në takimin e përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare me Miroslav Jenča, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Evropë, Azi Qendrore dhe Amerikë.

Në fjalën e tij Sherifi vuri theksin te rëndësia e arritjes së paqes së përhershme mes Kosovës dhe Serbisë.Megjithatë, nënvizoi se paqja mes dy vendeve duhet të ketë në themelin e saj drejtësinë. “Pra një paqe që në themel ka drejtësinë dhe jo padrejtësinë. Paqja e cila nuk ka drejtësinë në themel është paqe e përkohshme dhe si e tillë në vend të zgjidhjes së problemeve ajo i shtyn ato për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Sherifi.

Sherifi po ashtu theksoi se Serbia duhet të marrë përgjegjësi për gjenocidin e kryer gjatë luftës në Kosovë. “Serbia duhet të Ballafaqohet me të kaluarën.

Ballafaqimi kalon përmes pranimit dhe dënimit të atyre që kanë planifikuar dhe zbatuar këto politika:, ka theksuar Sherifi.