​Shahini: Protesta u rrëmbye me dhunë nga një grusht individësh partiakë

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit ka sjellë reagimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Në një postim në Facebook, Shahini e quajti protestën të rrëmbyer nga një grusht individësh partiakë, të cilët më pas e kthyen në sfond dhune.

“Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune”. Shahini shkruan se protesta erdhi me argumentin se kërkohej cilësi më e lartë në arsim, ndërkohë që nga ana tjetër thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.

“Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare”. Ministrja e Arsimit shteon se lajmi i vetëm i mirë në këtë protestë ishte se “Studenti Protestues” nuk ishte aty, ndërsa theksoi se “Pakti për Universitetin” do të vijoj zbatimin. “Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike”,- përfundon Ministrja e Arsimit Besa Shahini.