​Selimi kërkon nga Hoti e Zemaj t’i publikojnë emrat e aktivistëve “që janë infektuar në protestë”

Ndaj deklaratave të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj se përhapja e pandemisë në vend ka ardhur pikërisht nga protesta e VV-së dhe festa e Fiter Bajramit, ka reaguar shefi i GP-së të VV-së, Rexhep Selimi.

Deputeti Selimi ka kërkuar emra në mënyrë private për ata që janë infektuar nga protesta, derisa tha se sot kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë nuk janë ftuar të komentojnë punën e ish-kryeministrit Kurti dhe ish-ministrit Vitia, por për menaxhimin e kësaj situata nga Qeveria Hoti.

“Ju sot jeni deklaruar Zemaj dhe po ashtu eprori i juaj Hoti. Ku jeni deklaruar se keni evidenca, madje keni thënë edhe emra dhe mbiemra për aktivistët. Nëse s’doni t’i thoni publikisht, ju lutemi të ma thoni privatisht vetëm një emër së paku që është infektuar si pasojë e asaj proteste. Po ashtu Hoti thotë: Se Fiter Bajrami edhe protesta veç e kanë rritur numrin të infektuarve në Kosovë, në cilat evidenca? Kush ta tha? Ku u mbështetët sesi pasojë e këtyre dyjave e thatë një gjë të tillë. Në anën tjetër a mundeni ju të përgjigjeni për atë çfarë jeni ju sot këtu, pra për veten tuaj. Nuk jeni thirrur sot këtu as për punën e Kurtit e as të Vitisë. Ju kemi thirrur të përgjigjeni për vete. Andaj, për atë që keni përgjegjësi përgjigjuni”, tha Selimi.

Ministri Shëndetësisë Zemaj ka thënë se kanë vlerësime për lëvizje të qytetarëve çdo ditë, për ngjarjet ditore, qoftë edhe për protestë dhe festa fetare e shtetërore.

“Ne kemi një vlerësim të situatës epidemiologjike për çdo ditë, nuk e bëjmë vetëm ne, e bëjnë edhe OBSH-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtar. Edhe për ngjarjet ditore, qoftë edhe për lëvizjet e qytetarëve, të grupeve, festive fetare e shtetërore. Ky është vlerësimi për ditët, numrat dhe rrjedhën e infeksionit qoftë nga tubimet dhe nga organizimet e tilla… Ju mund të bëni edhe opozitë edhe ekstreme, por ju kisha lutë që këto masa të respektohen, sepse nuk ju bënë nder as juve”, tha ai.

Edhe në këto orë të vona, debati për menaxhimin e pandemisë është duke vazhduar ende.