​Rritet numri i shkollave në mësim online, mbyllen edhe dy të tjera

Tetë shkolla fillore dhe të mesme në kryeqytet kanë kaluar në mësim virtual si rezultat i rritjes së rasteve të të infektuarve me virusin COVID-19, ka bërë të ditur . drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.

Shala në një intervistë për KosovaPress thotë se në dy shkolla tjera, në shkollën fillore të mesme të ulët “Xhemail Mustafa” dhe në atë të muzikës “Prenk Jakova” mësimi është duke u mbajtur në mënyrë të kombinuar, ku një cikël mban mësim online, ndërsa cikli tjetër vazhdon mësimin në bankat shkollore.

“Për momentin i kemi tetë shkolla që janë komplet të mbyllura, kurse dy të tjera janë në disa cikle. Shkolla ‘Xhemail Mustafa’, cikli 6-9 është mbyllur për shkak të rasteve pozitive me mësimdhënës dhe nxënës, kurse Shkolla e Muzikës është mbyllur, klasa nga e para deri në të 9-ën, dhe tani janë duke shkuar në shkollë vetëm nxënësit e shkollave të mesme. Kurse tetë të tjera janë të mbyllura komplet për shkak të rasteve pozitive edhe të mësimdhënësve edhe nxënësit”, tha Shala.

Numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar vetëm deri të hënën ka shkuar në 301, por Shala thotë se ky numër rritet çdo ditë, pasi rastet e infektimit me COVID-19 janë shtuar.

“Deri të hënën të raportuar i kemi 301 nxënës dhe mësimdhënës që janë nëpër shkolla por, dita ditës numrat vetëm janë duke u shtuar. Ne i marrim statistikat në baza javore, për shkak se mund të kemi të shëruar por edhe të infektuar në të njëjtën kohë”, tha Shala.

Rritja e numrit të infektuarve me virusin COVID-19 nëpër shkolla, ka bërë që periudha e përgatitjes për mësim online të jetë e shkurtër, por drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës thotë se shkollat e mbyllura ia dolën që të përshtatin oraret e mësimit në mënyrë që nxënësit të mos humbasin mësimin.

“Ka qenë koha shumë e shkurtër e organizimit, sepse duhet një organizim krejt tjetër, duhen oraret e reja për nxënësit, sepse përderisa janë nxënësit në klasë, punojmë me dy grupe, por kur shkojnë në mësim online klasa futet komplet në orë mësimore dhe orët bëhen 45 minuta, sikurse orët e rregullta që janë mbajtur në shkollë. Janë bërë oraret nga shumica e shkollave… Shkollat janë adaptuar me oraret e prindërve, me këshillat e prindërve brenda shkollës në mënyrë që nxënësit të humbin sa më pak, edhe pse efekti i mësimit online nuk është sikurse efekti i mësimit të cilin nxënësit e bëjnë në objektet mësimore fizikisht”, tha Shala.

Ajo tregon se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë ankesë që për shkak të pajisjeve apo të kyçjes në internet nxënësit nuk mund të ndjekin mësimin ‘online’.

Shkollat fillore dhe të mesme që janë mbyllur duke kaluar në mësimin online në komunën e Prishtinës janë: “Meto Bajraktari”, Filip Shiroka”, “Gjin Gazulli”, “Naim Frashëri”, Xhevdet Doda”, “Zenel Hajdini” dhe “Ismail Qemali”. Ndërsa shkolla fillore e mesme e ulët “Xhemail Mustafa” dhe shkolla e muzikës “Prenk Jakova” janë duke vazhduar mësimin fizik vetëm me nga një cikël.