​Rrahje mes policëve në veri të Mitrovicës

Uglesha Jarediq dhe Bane Bozhoviq, pjesëtarë të Njësisë për reagim të shpejtë në kuadër të policisë së Kosovës në veri, janë përleshur mes vete fizikisht, ndërsa njëri prej tyre ka nxjerr edhe armën zyrtare, por falë kolegëve prezentë, nuk ka arritur ta përdorë, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur sot paradite në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, ndërsa përkundër lëndimeve të lehta, asnjëri prej policëve nuk ka kërkuar trajtim mjekësor.Burimet më tej kanë shtuar se pas këtij incidenti, Bozhoviq është ftuar në zyrën e shefit të operativës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, me ç’rast i është marrë arma zyrtare, por jo edhe Jarediq.

Kosovapress-i mëson se Uglesha Jarediq është komandant i Njësisë për reagim të shpejtë në veri, dhe ky nuk është incidenti i parë në të cilin ai është përfshirë.

I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Bratislav-Bane Radoviq, nuk e ka pohuar dhe as mohuar incidentin. “Deri tani nuk më ka ardhur ndonjë raport zyrtar rreth kësaj, andaj nuk mund t’ju them asgjë”, ka thënë shkurt përmes telefonit Radoviq.

Uglesha Jarediq