​Reka çuditet me heshtjen e Kosovës dhe Shqipërisë karshi kandidaturës së tij

I ka hyrë i vetëm garës për president. Madje fushatën po e bënë vetëm me disa fletushka. Kandidati i parë shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ndonëse rrugës ka gjetur përkrahje të masës, është shprehur i habitur me heshtjen e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë karshi kandidaturës së tij.

Vetëm pak kohë më parë, shqiptarët e Tuzit dhanë shembullin se të bashkuar mund të fitojnë, e njëjta nuk po ndodh në Maqedoni.

Kjo ka bërë që Reka të adresojë kritika për Bashkimin Demokratik për Integrim, parti kjo e cila ka dal në krah të kandidatit maqedonas të LSDM-së, Stevo Pendarovski.Në një intervistë për KosovaPress, Reka thotë se ky është momenti i fundit që Maqedonia e Veriut ta ketë një president shqiptar, teksa tregon edhe arsyet që e kanë shtyrë që t’i hyjë garës presidenciale.

Reka thotë se dëshiron të udhëheq një shtet me rend republikan, kundër kapjes së shtetit, kundër privatizimit të shtetit, një shtet pa korrupsion dhe nepotizëm, një shtet të cilin do ta udhëheqin politikanë me ‘duar të pastra’.

Ndërkohë, një mori kritikash ka adresuar ndaj qeverisjes aktuale, teksa ka treguar edhe disa nga hapat që do të ndërmerr në rast se bëhet president.Kështu, një ndër detyrat e para që i ka vënë vetes si president, Reka thotë të jetë inkuadrimi i shqiptarëve në poste publike si në Presidencë dhe institucione tjera shtetërore.Sipas tij, pas një periudhe postkonfliktuale në Maqedoninë e Veriut, për gati 20 vjet, është koha për një marrëveshje me qytetarët, e jo mes elitave pushtetare.

Se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tash e disa vite ballafaqohen me mos përfshirjen e tyre në regjistrimin e popullsisë e pohon edhe profesor Reka, ku thotë se ende operohet me shifra të vitit 2002.

Ai kujton se si në vitin 2011 kishte pasur një iniciativë për regjistrim të popullsisë, ku koalicioni qeverisës, i prirë nga Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, edhe pse harxhuan 9 milionë euro të buxhetit shtetëror, e kanë ndërprerë regjistrimin, duke mos dhënë përgjegjësi për këtë dështim.

I ndodhur përballë dy kundër-kandidatëve maqedonas, kandidati shqiptar për president të Maqedonisë Veriore tregohet optimist kur pyetet nëse do të ketë edhe votat e votuesve të BDI-së.

Sipas tij, edhe për vet shtetin e Maqedonisë Veriore do të jetë shumë më e shëndetshme nëse votohet kandidati shqiptar, e jo kandidati qeveritar.Zgjedhjen e tij në krye të shtetit, Reka e sheh si një balancim të politikave.

Reka ka folur edhe për premtimin e tij se do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ku ka bërë të ditur se një gjë të tillë do ta bëjë përmes kompetencave të tij si president: në gjyqësor, me emërimin e anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe me emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Kandidati për president është shprehur i çuditur me heshtjen e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë karshi kandidaturës së tij.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill, ndërsa kandidati i pavarur shqiptar do të përballet në garë me Gordana Siljanovska – Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovskin e LSDM-së.