​Reagon SHSKUK, thotë se të gjitha vdekjet nga COVID-19 raportohen menjëherë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar pas akuzave për fshehje të vdekjeve të personave gjatë pandemisë me koronavirus, duke thënë se të gjitha rastet raportohen në mënyrë të rregullt, sipas procedurave të përcaktuara.

Në një reagim për media thuhet se raportimi për personat e vdekur nga COVID-19 bëhet në Qendrën Operative e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrën për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe secili rast i vdekjes në SHSKUK raportohet menjëherë nga mjeku që e konstaton vdekjen.

SHSKUK fton të gjithë zyrtarët publikë që të kursehen nga deklaratat e pamatura të cilat vetëm se shkaktojnë panik dhe konfuzion në popullatë.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme ka pasur akuza nga zyrtarë publikë ndaj institucioneve shtetërore për siç thuhet fshehje të vdekjeve nga koronavirusi, të cilat sipas tyre nuk janë raportuar asnjëherë nga Ministria e Shëndetësisë.

Postimi i plotë në Facebook:

Sqarim nga SHSKUK

Në lidhje me deklaratat e zyrtarëve publikë se “po fshihen vdekjes në pandemi”, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron opinionin e gjerë se të gjitha rastet e vdekjeve që ndodhin brenda institucioneve të SHSKUK (QKUK dhe Spitalet e Përgjithshme) raportohen në mënyrë të rregullt, sipas procedurave të përcaktuara.

Secili rast i vdekjes që ndodh në SHSKUK, raportohet menjëherë (në kohë reale) nga mjeku që e konstaton vdekjen.

Raportimi bëhet në Qendrën Operative e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrën për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Këto të dhëna përpunohen nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe publikohen në një raport të plotë ditor, raporti përfshinë të dhënat për grup-moshat dhe qytetet.

SHSKUK fton të gjithë zyrtarët publikë që të kursehen nga deklaratat e pamatura, të cilat vetëm se shkaktojnë panik dhe konfuzion në popullatë.