​Reagon MIT: Nuk e kemi zgjatur afatin për përfundimin e punëve në autostradë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka lëshuar një komunikatë për media, pas raportimeve se ajo është marrë vesh me Bechtel & Enka që kompanisë t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Një gjë e tillë do t’ia pamundësonte Qeverisë së Kosovës të kërkonte ndëshkim për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë sot se kjo zgjatje e afatit është paraparë në një aneks-kontratë të nënshkruar nga MIT dhe Bechtel & Enka, më 5 shtator 2018.

Por, MIT ka mohuar pohimet e KDI’së, duke thënë se kompanisë nuk i është zgjatur afati për përfundimin e punëve në autostradë.

“Kontrata për realizimin e Projektit të autoudhës “Arbën Xhaferi” ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018. Duke parë se një gjë e tillë është e pamundur, për shkaqe të njohura tani për publikun, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 27 shtator 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë”, thuhet në reagimin e MIT’së.

“Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 milionë euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me datë 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019”, thekson njoftimi, përcjell Ballkani.info.

“Prandaj, nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate. Këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët”, deklaron MIT.

Ministria ka thënë më tej se “mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të dispozitave kontraktuale dhe mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës”.

Ajo ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën.

“Kërkojmë nga mediat dhe organizatat jo qeveritare të mos keq informojnë qytetarët dhe të interpretojnë dokumentacionet në mënyrë të saktë dhe të drejtë”, përfundon reagimi i MIT’së.