Rama vazhdon sot takimet me liderët e partive politike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë, do të vazhdojë takimet me liderët e partive politike.

Rama do të zhvillojë takime me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të AKR-së, Behgjet Pacollin dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Po ashtu, në agjendë është paraparë edhe një takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit mbrëmë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka deklaruar se ka pasur interesim nga ana e Ramës për t’u takuar, por që s’ishte e njëjta gjë edhe nga ana e tij, ndërsa ironizoi me një deklaratë të kryeministrit shqiptar, i cili e kishte quajtur atë të paditur.

“I padituri nuk mund të takohet me të diturin”, tha Haradinaj.Në fund të vizitës së tij në Kosovë, Rama pritet të mbajë edhe një konferencë për media.

Vizita e kryeministrit Rama në Kosovë vjen pasi Gjykata Speciale publikoi propozim-aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.