​Punimet në rrugën A fillojnë në gjysmë të këtij viti

Punimet për ndërtimin e rrugës A në kryeqytet pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të viti 2020. Kështu ka deklaruar për KosovaPress, shefi i kabinetit në ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj.

Zogaj në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kjo ministri e ka prioritet ndërtimin e kësaj rruge, por që për shkak të përhapjes së pandemisë COVID19, nuk ka pasur mundësi që të nisin punimet në këtë projekt.

“Javën e kaluar kemi nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit me komunën e Prishtinës e cila parasheh disa projekte. Në ato takime është diskutua edhe për projekti i rrugës A, është një prej prioriteteve të ministrit dhe kësaj ministrie. Kështu që në gjysmën e dytë të këtij viti ne veçse do të fillojmë me punimet në atë pjesë. Siç e dini aktualisht në këtë pjesë të viti nuk ka pasur punime dhe punë të reja të gjitha janë stopuar për shkak të situatës me pandeminë, por po shpresojmë që në gjysmën e dytë të vitit dhe me rishkqyrim të buxhetit disa prej këtyre projekteve që janë me prioritet të lartë të vazhdohet puna”, tha ai.

Zogaj ka folur edhe përmarrëveshjen e bashkëpunimit për investime në infrastrukturën e Kryeqytetit për vitet 2020-2021, të nënshkruar në mes të ministrit në detyrë për Infrastrukturë dhe Ambient, Lumir Abdixhiku dhe të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas tij, kjo marrëveshje parasheh gjelbërimin dhe ndriçimin në hyrjen e Prishtinës nga ana e Veternikut.

“Kemi paraparë hyrjen e Prishtinës nga ana e Veternikut ura e re e cila veçse është ndërtuar do gjelbërohet dhe ndriçohet dhe do i jap pamje krejt tjetër hyrjes së Prishtinës, pjesa përballë qendrës “Albi” ku jemi duke e përfunduar rregullimin e rrugës së Veternikut ana e djathtë kur nisemi për lartë, duke përfshirë edhe një mbikalim i cili do të jetë aty afër qendrës “Albi”, theksoi Zogaj.