​PS feston fitoren, Rama: Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka falënderuar të gjithë mbështetësit dhe qytetarët për besimin e dhënë për katër vjetët e ardhshëm në krye të qeverisës së vendit.

Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe kryeministri Rama tha se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të këtyre katër vjetëve.

“Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që ishin me dhe për mua. Lulzim Basha dhe PD bën fushatën më të mirë të tyre në historinë e tyre. Demokratët ishin kundërshtarë edhe jo aq të lehtë kësaj here për ne. U them atyre sinqerisht, se më shumë se kaq nuk bën dot, madje bënë më shumë”, ka thënë Rama gjatë kremtimit të fitores në Tiranë.

Ai ka thënë se humbja e Partisë Demokratike të Lulzim Bashës nuk është humbje aspak turpëruese.

“Fitorja jonë e madhe nuk na bën më të vogël, por më të madh dhe t’i shtrijmë dorën bashkëpunimit të sinqertë pa asnjë paragjykim dhe kufizim Partisë Demokratike. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan, por ata që nuk votuan fare”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama nga sheshi “Skënderbej”, e konsideroi “fitoren më të vështirë, më të madhe dhe më të bukur të Partisë Socialiste”.

“Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12-n, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm dhe me një shpirt gare që nuk ka të dytë në këtë vend”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se është “krenar për të gjithë që u angazhuan si patronazhistë, koordinatorë dhe drejtues fushate”.

“Por, më shumë se asnjëherë jam krenarë për shqiptarët, që me urtësinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore, fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha, fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare dhe politike që kanë krijuar shqiptarët ndonjëherë: Partia Socialiste. Por, është një fitore e madhe që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë, duke punuar dhe respektuar këdo, edhe ata që kanë votuar kundër ose nuk kanë votuar”, shtoi Rama.