​Prokuroria në Mitrovicë nis zyrtarisht hetimet ndaj Agim Bahtirit, kërcënoi me vëllavrasje

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri, nën dyshimin për veprën penale ‘nxitja e përçarjes dhe mos durimit’.

Pas mocionit, e paralajmërimit se mund të krijohet qeveri e re pa shkuar në zgjedhje, Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës e anëtar i LVV-së kërcënoi me vëllavrasje.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Kjo është komunikata e plotë e Prokurorisë rreth deklaratës së Bahtirit e cila ka ngjallur reagime të akterëve të tjerë politikë në vend:

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton publikun që me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është intervistuar sot kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut A.B., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka filluar hetimet ndaj A.B., pasi që dyshohet se i njëjti në një lidhje të drejtpërdrejtë në njërin nga televizionet kosovare ka deklaruar se “Presidenti t`i shpallë zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje“, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, A.B,. është lëshuar në procedurë të rregullt”, thuhet në këtë komunikatë.

Bahtiri paralajmëroi “konflikt vëllavrasje” nëse formohet pa Lëvizjen Vetëvendosje një shumicë e re parlamentare.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka sqaruar deklaratën e tij të bërë sot duke thënë se ishte nxjerrë nga konteksti. Ai ka thënë se prejse është në politikë gjithmonë ka bërë ftesa për qetësi të qytetarëve dhe për zgjidhje të problemeve politike me dialog./