​Prodhuesit dhe tregtarët takohen me MEPTINIS dhe MFT

Qëndrueshmëria ekonomike e bazuar në fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe zgjerimi i njëkohshëm i sektorit të shitjeve me pakicë është garantues për zhvillimin e vendit, andaj gjetja e formave për thellimin e bashkëpunimit në mes të sektorëve është jetike.

Kështu u tha sot në takimin e organizuar nga MEPTINIS dhe Ministria e Financave dhe Transfereve, me Rrjetin e Shitësve me Pakicë dhe Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari potencoi se është e njohur me problematikat e të dy sektorëve ndërsa mbetet e angazhuar që përmes kornizave ligjore të mundësojë trajtimin e tyre.

Megjithatë, marrë për bazë nevojën e menjëhershme për rimëkëmbje ekonomike si rezultat i pandemisë, Hajdari potencoi nevojën e gjetjes së alternativave në mes të prodhuesve dhe shitësve me pakicë për mbështetje shtesë të sektorit të prodhimit.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi theksoi se përkundër potencialit të ekonomisë së Kosovës për zhvillim, subjektet ekonomike prodhuese mbetën pjesëmarrëse modeste në tregun e brendshëm andaj thellimi i bashkëpunimit me sektorin e shitjeve me pakicë duhet të shihet me interes dypalësh.

Në këtë drejtim, Bislimi theksoi se Ministria e Financave dhe Transfereve mbetet e hapur për trajtimin e çështjeve me interes për zhvillimin e të dy sektorëve.

Anëtarë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë diskutuan mbi rëndësinë e funksionimit si tërësi të trekëndëshit: prodhues, shitje me pakicë dhe konsumator.

Të dy palët u dakorduan që prodhimi vendor duhet të vazhdojë që të mbështetet, në mënyrë që të arrihet një standard më i lartë në prodhim, por edhe të shtyhen përpara prodhimet vendore brenda dhe jashtë tregut, por roli i Qeverisë është esencial në fuqizimin e rolit të prodhimit dhe lehtësimin e tregtisë.

Si përfundim, të gjitha palët u dakorduan që pavarësisht sfidave mbetet të punohet ngushtë mes të gjitha palëve relevante për të bashkëpunim të mëtutjeshëm duke pasur në fokus konsumatorin, prodhuesit vendor dhe shitësit me pakicë, në mënyrë që të kemi stabilizim dhe qëndrueshmëri të vazhdueshme të zinxhirit ekonomik.