​Policia gjithandej patrullime, apelon për respektim të masave antiCovid

Policia e Kosovës edhe këtë mbrëmje ka vazhduar me patrullime të rrepta në mbarë vendin, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Me këtë rast policia edhe njëherë ka apeluar për respektim të masave antiCovid, në mënyrë që sa më parë të kthehet normaliteti.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja në terren dhe me institucionet tjera po bëjnë përpjekje në parandalimin e përhapjes së pandemisë, në mënyrë që të gjithë ne ti kthehemi normalitetit sa më parë. Kjo është e mundur vetëm nëse të gjithë së bashku i orientojmë objektivat tona në arritjen e qëllimit të përbashkët, respektimi i masave; mbajtja e higjienës, mbajtja e distancës fizike dhe bartja e maskës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se ditëve të fundit është shënuar një rënie e theksuar e rasteve të reja me Covid-19. Ndërsa tashmë në Kosovë ka arritur edhe një kontingjent prej rreth 5 mijë dozave të vaksinave kundër Covid-19.