​Pentagoni këshillon Biden që t’i përmbahet marrëveshjes me talibanët

Pentagoni i rekomandoi presidentit të SHBA-së, Joseph Biden, që t’i përmbahet marrëveshjes më 31 gusht si afati i fundit për largimin e trupave amerikane nga Afganistani, konfirmuan zyrtarët amerikanë.

Një raport i Reuters thotë se përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, deklaroi se presidenti amerikan paralajmëroi udhëheqësit e G7 gjatë samitit të sotëm se misioni amerikan në Kabul do të përfundonte në varësi të arritjes së qëllimeve amerikane.

“Presidenti ka konfirmuar se ne jemi në rrugën tonë drejt arritjes së këtyre synimeve deri më 31 gusht,” tha Psaki.

Gjatë fjalimit në samitin e G7, presidenti amerikan vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara “po kryejnë me shpejtësi tërheqjet nga Afganistani deri më 31 gusht, në varësi të bashkëpunimit me talibanët”.

Biden dërgoi mijëra trupa amerikane në aeroportin e Kabulit pasi talibanët pushtuan kryeqytetin dhe pjesën më të madhe të Afganistanit gati dy javë më parë.

Rreth 6.000 ushtarë amerikanë po ndihmojnë në evakuimin e shtetasve amerikanë dhe afganëve të rrezikuar, por edhe për të siguruar aeroportin në mënyrë që vendet e tjera të mund të evakuojnë qytetarët e tyre.