​Parlamenti Studentor kërkon që arsimi universitar të fillojë mësimin fizikisht

Parlamenti Studentor po kërkon nga MASH që edhe arsimi i lartë të rikthehet fizikisht në objektet universitare. Sipas tyre, rikthimi në formë fizike i ligjëratave dhe ushtrimeve është i domosdoshëm.

Kryetarja e Parlamentit Studentor, Edona Haxhimehmeti përmes një njoftimi me shkrim ka bërë të ditur kërkesën unanime të Parlamenteve Studentore mbi formën e mbajtjes së mësimit.

“Duke marrë parasysh që MASH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në, ka marrë vendim që arsimi para-universitar të fillojë fizikisht nga data 19.4.2021, ne si Parlamente Studentore të Universiteteve Publike në Kosovë, vendosëm që përmes kësaj shkrese të kërkojmë që edhe arsimi i lartë të rikthehet fizikisht në objektet universitare. Rikthimi në formë fizike i ligjëratave dhe ushtrimeve në arsimin e lartë është nevojë që po shihet çdo ditë, andaj reflektimi edhe në këtë nivel të arsimit është i domosdoshëm”, thuhet në këtë njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se rikthimi i studentëve në universitete do të shoqërohet me respektim rigoroz të masave dhe rekomandimeve nga institucionet kompetente.

Në takimin e djeshëm të ministrit të Shëndetësisë me kryetarët e komunave, është marrë vendim që arsimi para-universitar që nga e hëna të fillojë fizikisht.