​Osmani: Vuçiq po kërcënon me luftë të dhunshme, kërkon reagim nga BE dhe NATO

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nëse nuk do të ketë zgjidhje përmes procesit të dialogut me Kosovën, atëherë mund të vijë deri te shpërthimi i një konflikti të ngjashëm me Nagorno-Karabak.

Osmani në një postim në Twitter ka kërkuar nga NATO dhe BE-ja të reagojnë ndaj këtyre deklarimeve luftënxitëse të kreut të shtetit serb.

“Pres nga BE dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi për një luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, shkruan Osmani.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë para gazetarëve se në mëngjesin e të enjtes (12 nëntor) ka pasur takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, dhe ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.