​Osmani nderon Rugovën: Mbështetja që siguroi janë bazament për shtetin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu bëri homazhe për të nderuar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

Ajo pranë varrit të tij tha se mbështetja dhe miqësitë qe ai siguroi për Kosovën edhe sot janë bazament i fuqishëm për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Jam këtu që me rastin e marrjes së detyrës të nderoj veprën dhe kujtimin e arkitektit të shtetit dhe të pavarësisë së vendit tonë, presidentin historik dr. Ibrahim Rugova i cili siç e thash edhe në ditën e betimit tim si presidente në Kuvend ai i ka dhënë politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human dhe njëkohësisht ka arritur që Kosovën dhe sakrificën e popullit të saj ta bëj të njohur në të gjithë botën. Mbështetja që ai siguroi për vendin tonë, miqësitë që ai siguroi për shtetin tonë, akoma janë ndër bazamentet më të fuqishme të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të demokracisë qe ende jemi në ndërtim e sipër”, tha ajo.

Ndryshe, Osmani sot ka pranuar zyrtarisht detyrën me një ceremoni të organizuar paraditen e sotme, ndërsa po vazhdon edhe me homazhe.