​Osmani deputetes së PDK-së: Gratë flasin dhe qeshin kur të duan

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së Besa Ismajli, e cila e pyeti se pse po qesh me deputetet në sallën e Kuvendit. Osmani tha se është kundër ‘instalimit të mendësisë’ se kur duhet të qeshet e kur jo në Kuvend të Kosovës, ndaj tha se do ta luftojë këtë ndaj kujtdo qoftë.

Deputetja Ismajli deklaroi se ajo çfarë ka ndodhur gjatë pandemisë në vend, është një precedent i keq për shtetin e Kosovës. Ajo u shpreh se Vjosa Osmani nuk është në krye të detyrës, por e njëanshme.

Ismajli: Do të doja që në krye të detyrës t’iu shohë më shpesh
(Video)

“Zonja kryetare për mua ishte kënaqësi që sefte ju pash në krye të detyrës, kur ju bëtë reagimin për pirjen e duhanit. Jemi me ty, mirë ju patë hije kjo gjë, por do të doja që këso raste të tilla, në krye të detyrës t’iu shihja më shpesh, sepse nganjëherë kam përshtypjen që po ju shohim të njëanshme, dhe assesi në krye të një institucioni siç është Kuvendi i Kosovës. Për më tepër, kur ka sjellje jo parlamentare të kolegëve tanë, nuk do të doja t’iu shihja teksa qesheni me të, në fjalët e deputetëve”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar nga kryetarja Osmani që të merret me komisionin hetimor, ku sipas saj është anashkaluar kuvendi për të ushtruar mbikëqyrjen parlamentare në menaxhimin e pandemisë.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares Osmani e cila tha se prokuroria është duke kryer detyrën e vet në lidhje me temat për të cilat po formohet komisioni hetimor për menaxhimin e pandemisë. Reagime pati edhe për deklaratën e Ismajlit, e cila e kishte pyetur se pse po qesh.

Osmani: Gratë flasin kur të duan, edhe qeshin kur të duan

(Video

“Zonja Ismajlim më lejoni t’ju them që unë sot kritikat e juaja i marr si kompliment dhe në aspektin personal nuk do t’ju përgjigjesha. Por, ju përgjigjem sepse ka dhjetëra-mijëra vajza të vogla që na shikojnë çdo ditë, dhe presin që gratë në Kuvend të mos tentojnë të shtyjnë përpara një kulturë të tillë, ku grave duhet treguar kur të flasin e kur të qeshin. Harroje që një kulturë të tillë e pranoj, harroje. Gratë do të flasin kur të duan, do të qeshin kur të duan dhe unë do të udhëheq seancën në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha ajo.

Osmani pyeti Ismajlin se pse nuk ka reaguar atëherë kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte përdorur gjuhë shumë të rëndë në drejtim të grave.

Osmani: Ku ishit ju kur Veseli gratë deputete i ofendonte me gjuhë çnjerëzore?
(Video)

“Ku ishit ju zonja Ismajli kur kryetari paraprak i këtij Kuvendi gratë deputete i ofendonte me gjuhë çnjerëzorë banale, çnjerëzore, kur e ngritët ju zërin për një gjuhë të tillë që po ju pengon buzëqeshja ime. Kur folët ju për ofendimet e burrave të të gjitha partive politike ndaj grave në po partitë e tyre. Kur e ngritët zërin për diçka të tillë. Personalisht kritikat tuaja i marrë si kompliment, por e kam detyrë mbi të gjitha njerëzore që mos me lejua që një kulturë e tillë e shkeljes së vajzave dhe grave mu instalua në këtë kuvend, në këtë kuvend jo, harrojeni, që të gjithë kujtdo që mundet t’i shkojë në mendje”, ka deklaruar Osmani.

Për këtë Besa Ismajli tha se ajo është “avokate e të drejtave të njeriut”, dhe se nuk ia cenon askujt qeshjen. Ajo shtoi se gratë me mbulesë nuk gëzojnë në Kosovë të drejtat e tyre që të dalin lirshëm.

Ndër të tjera, Ismajli tha se vdekja e të riut nga Gjilani Agon Musliu është e rëndë për Kosovën, duke shtuar se karantinimi në Qendrën e Studentëve, ka qenë i pabarabartë.