​Osmani: Beteja me COVID-19 s’ka përfunduar, dhimbja jonë mund të rritet

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se në muajt në vazhdim mund të ketë rritje të rasteve me Covid-19, por edhe vdekje të reja nga kjo pandemi.

Përmes një statusi në Facebook, Osmani ka thënë se beteja me Covid-19 nuk ka përfunduar, andaj ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të shtojnë kujdesin dhe të respektojnë të gjitha masat parandaluese.

Ky është stautsi i saj i plotë:

Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!