​Oda e Mjekëve kërkon zbatim të plotë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19

Oda e Mjekëve të Kosovës me një apel publik u ka bërë apel të gjithë institucioneve publike që të vihen në zbatim të plotë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Oda këtë apel thotë se e bëri duke qenë se situata pandemike është duke eskaluar dhe se kapacitetet infrastrukturore dhe ato njerëzore nuk lejojnë komoditet institucional sa i përket zbatimit të masave parandaluese.

“Krahas nevojës që të rritet rigoroziteti i zbatimit të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID, Oda e Mjekëve konsideron se është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse, qofshin ato të sistemit profesional shëndetësor apo edhe administrativ, të përfshihen në një fushatë vetëdijësuese lidhur me rëndësinë jetike për t’u vaksinuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të qenë efektiv procesi i vaksinimit domosdoshmërisht do të jetë e nevojshme që të menaxhohet me kujdes personeli shëndetësor, gjithëherë duke pasur parasysh që tani e dy vjet me rradhë personeli është i mbiangazhuar për t’u përballë me këtë situatë sfiduese. Po ashtu, menaxhmenti i institucioneve shëndetësore, kësaj rradhe duhet të ketë kujdes dhe të përdorë expertizë në sistematizimin e personelit shëndetësorë nëpër “klinikat Covid”, në atë mënyrë që të mos përsëriten gabimet e valëve të kaluara dhe të dëmtohen shërbimet e tjera të mbingarkuara si emergjencat dhe traumatologjia. Në këtë drejtim, kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të filloj zbatimin e nenit 20 të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID. Apelojmë popullatës së Republikës së Kosovës, se tani mbi të gjitha është prioritare ruajtja e shëndetit publik dhe “shëndeti” i institucioneve shëndetësore dhe se kjo betejë nuk i takon vetëm punëtorëve shëndetësorë por secilit prej nesh”, thuhet në komunikatë.