​Numri i azilkërkuesve në Kosovë po shënon rritje

Përkundër që shumë qytetarë të Kosovës po ikin drejt vendeve të perëndimit për një jetë më të mirë, ka edhe shumë shtetas të huaj që vendin tonë e shohin si një destinacion për të kërkuar azil.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, viti 2019 shënon numrin më të madh të kërkesave për azil, ku nga janari e deri në mesin e dhjetorit azil kanë kërkuar rreth 2 mijë persona.

Këta persona kryesisht vijnë nga vendet e konflikteve dhe luftës, derisa Kosovën e shohin si një mundësi më të lehtë për të depërtuar drejt vendeve perëndimore.

Rrugën drejt Kosovës nga Siria e mori edhe 30-vjeçari, Isam Nori i cili aktualisht ka 7 muaj që së bashku me vëllain e tij po qëndrojnë në Qendrën për Azil në Magurë të Lipjanit.

Në një rrëfim për KosovaPress, ai tregon se synim ka që të qëndrojë në Kosovë dhe këtu ta ndërtojë jetën e tij duke gjetur edhe punë.

Duke u shprehur i kënaqur me kushtet që i ofron Qendra për Azil, Nori thotë se nëse do të dëshironte të largohej nga Kosova, ai tashmë një gjë të tillë do ta bënte shumë kohë më parë.

Ngjashëm me Isam Nori nga Siria, ka edhe shumë azilkërkues të tjerë që qëndrojnë në Qendrën për Azil në Magurë, ku sipas drejtorit të kësaj qendre, Fitim Zariqi aktualisht aty janë të akomoduar 106 persona nga Siria, Iraku, Algjeria, Maroku dhe Pakistani.

Rrugët të cilat shfrytëzohen për të ardhur nga vendi  i origjinës në Kosovë kryesisht janë Turqia, Greqia dhe Shqipëria.

Sipas udhëheqësit të Qendrës për Azil në Magurë e veçantë këtë vit ka qenë se azil në Kosovë kanë kërkuar edhe shumë familje që kanë edhe fëmijë, për të cilët tha se janë përkujdesur edhe për shkollim.

Kjo qendër krahas akomodimit e tri shujtave ditore të ushqimit, për shtetasit e huaj ofron edhe këshilla juridike dhe psiko-sociale, si dhe asistencë sociale.

Sipas Zariqit kostoja për një azilkërkues në ditë arrin shifrën 19 euro.

Si sfidë për këtë institucion Zariqi përmend mënyrën e komunikimit pasi që  azilkërkuesit vijnë kryesisht nga kultura të ndryshme dhe të largëta nga Kosova dhe gjuha e tyre nuk është e njohur për kosovarët, por që përkundër kësaj ai thotë se ia kanë dalë ta zgjidhin këtë problem.

Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi për KosovaPress ka deklaruar se në vitin 2019 Kosova ka shënuar numrin më të madh të personave që kërkojnë mbrojtje  ndërkombëtare, ku deri tani kanë aplikuar për azil rreth 2 mijë persona.

Prej tyre mbi 80 për qind janë meshkuj, ndërsa mosha e tyre është rreth 30-vjeç.

Krasniqi thotë se duke e parë që numri i azilkërkuesve në Kosovë po shënon rritje, janë marr masat për rritjen e kapaciteteve për akomodimin e shtetasve të huaj. Gjatë këtij viti në Vranidoll të Prishtinës janë ndërtuar edhe dy objekte shtesë të azilit me 200 shtretër në dispozicion.

Shefi i Departamentit për Azil, Shtetësi dhe Migracion tha se Kosova nga azilkërkuesit kryesisht po shfrytëzohet si vend transit, pasi që destinacion kanë vendet perëndimore. Madje mesatarja e kohës që shtetasit e huaj qëndrojnë në Kosovë  është 12 ditë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2015 azil kanë kërkuar 70 persona, shifër kjo e cila në vitin 2016  shënoi rritje në 306. Në vitin 2017 pati rënie të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare në 147 kërkesa, ndërsa në vitin 2018 rreth 600 persona u regjistruan si azilkërkues në Kosovë.