​Nuk ka kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it në seancën e sotme plenare.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti deputetë të shumicës janë shprehur se është evidentuar performancë e mirë e ndërmarrjes në aspektin e funksionimit teknik por edhe balancimit të sistemit. Por, njëjtë nuk janë deklaruar nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kanë thënë se s’do të marrin pjesë në votim.

Gjatë votimit të këtij raporti, në sallë kanë qenë të pranishëm 64 deputetë, por kanë votuar vetëm 50 prej tyre.

Deputetja Jeta Statovci nga Komisioni për Ekonomi, tha se ky raport ka marrë miratimin e anëtarëve të këtij komisioni parlamentar.

“Është trajtuar raporti i prezantuar nga ana e ndërmarrjes dhe ka marrë mbështetjen e deputetëve pjesëmarrës, kështu që është rekomanduar për seancë miratimi i këtij raporti”, ka thënë ajo.

Edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja tha se ky raport përmbush detyrat dhe obligimet e dala nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.

“Të gjitha të dhënat dhe diskutimet në lidhje me shpenzimet dhe të hyrat e ndërmarrjes janë trajtuar dhe komisioni ka vendosur që këtë raport ta rekomandojë për aprovim. Një kërkesë e cila është bërë për auditimin e investimeve kapitale të ndërmarrjes është në pritje nga Zyra Kombëtare e Auditimit, por e cila ndërlidhet me vitet paraprake 2011-2020 dhe i njëjti po besoj që në pjesën e dytë do të trajtohet ku ne i kemi ngritur disa shqetësime. Por, në mungesë të informacionit nuk kemi pasur diçka konkrete”, ka theksuar ai.

Në emër të LVV-së, deputeti Driton Hyseni u shpreh se ky raport është pozitiv.

“Raporti i vitit 2021 evidenton performancë të mirë të ndërmarrjes KOSTT, si në aspektin e funksionimit teknik, ashtu edhe në tragetin e saj që është balancimi i sistemit. Por, vlen të theksohet se performanca e KOSTT-it në vitin 2021 u sfidua nga kriza energjetike dhe obligimet që gjenerohen nga humbjet e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Që me licencë operimi lëshuar nga ZRRE, KOSTT që nga viti 2017 të tilla humbjet duhet t’i mbulojë”, tha Hyseni.

Në emër të PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se ka pasur keqmenaxhim në raport me krizën me energjinë. Ndërkohë, ai ka shtuar se ka pasur rritje të eksportit për më shumë se 300 për qind. Për këtë, ai tha se nuk do të marrin pjesë në votimin e këtij raporti.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kemi shqyrtuar raportin vjetor të KOSTT-it dhe kemi shqetësimet me këtë raport. Me menaxhimin e këtij institucioni, por edhe me mbështetjen çfarë i ka bërë Qeveria e Kosovës gjithashtu me menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjisë në përgjithësi…Nëse i shikojmë shifrat në raportin financiar, vijmë në përfundim se një menaxhim më i mirë i situatës energjetike do të ndikonte që të kalonte kriza globale energjetike me më pak pasoja. Nga tabela vërehet se prodhimi vendor ishte më i lartë se plani 22.15 për qind, ka pasur zvogëlim të importit 16.49 për qind dhe rritje të eksportit krahasuar me atë të planifikuar 395.14 për qind. Konsumi neto ka qenë më i lartë se i planit 7.11 për qind”, ka thënë ai. /KP