​Nuk dorëzoi 2026 dërgesa të ndryshme, arrestohet ish-punëtori i Postës së Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prishtinë personin me inicialet M.B. si dhe është kontrolluar shtëpia e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi dërgesat postare të pa dorëzuara nga i dyshuari, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre te palët e adresuara gjatë kohës sa ka qenë punëtor i Postës së Kosovës.

Me këtë rast janë gjetur dhe sekuestruar 682 shkresa të gjykatës,

512 fatura të tatimit mbi pronë, 337 fatura te Valës, 57 dërgesa ndërkombëtare,

200 shkresa të Trustit, 197 fatura bankare, 7 shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa nga Komuna e Lipjanit, një dërgesë nga AKP, 14 dërgesa nga përmbaruesit privatë dhe një dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në total, 2026 dërgesa të ndryshme të pa dorëzuara që i dyshuari kishte obligim t’i dorëzonte te palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare.

Me këto veprime M.B. dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar.

Ndaj të dyshuarit pas intervistimit, Prokurori i Shtetit nga PTH-Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për ndalim për 48 orë.