​Një muaj paraburgim ndaj tre personave të kapur për fajde në Deçan

Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Deçan, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve H.T., A.V. dhe A.Ç., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale fajde dhe kanosje.

I pandehuri H.T, në janar 2020 e në vazhdimësi deri në maj 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit si pasojë e pandemisë dhe disa borxheve që i kishte, në atë mënyrë që i pandehuri i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë të cilën i dëmtuari ia kthen në prill 2020 mirëpo, të dëmtuarit i rëndohet edhe më shumë gjendja financiare dhe i pandehuri në maj 2020 i jep përsëri para me fajde duke realizuar kështu dobi pasurore. Pastaj, i pandehuri, në fillim të muajit maj 2021, me fjalë, seriozisht e kanos të dëmtuarin se duhet të vazhdojë të paguajë fajdenë ose do ta privojë nga jeta.

Ndërsa, i pandehuri i dytë A.V, në tetor 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit, në atë mënyrë që të dëmtuarit për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri i jep pare me fajde, të cilën i dëmtuari e paguan çdo muaj.

I pandehuri i tretë A.Ç, në janar 2020 e në vazhdimësi deri më 15.09.2021, me dashje ndihmon personin tjetër në kryerjen e veprës penale të fajdesë në atë mënyrë që, të dëmtuarit në vitin 2019 për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri A.Ç ndërmjetëson tek i pandehuri H.T, që t’i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.