​Një ekip mjekësor i Spitalit të Mitrovicës hyn në vetizolim

Një ekip mjekësor i Spitalit të Mitrovicës ka hyrë në vetizolim për shkak se i kanë ofruar shërbime shëndetësore një pacienti në Skenderaj i cili është konfirmuar me koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një postimi në Facebook.

“Një ekip mjekësor i Spitalit të Mitrovicës gjendet në vet-izolim në shtëpitë e tyre, pasi që i ka ofruar shërbimeve mjekësore një pacienti nga Skenderaj, i cili pas testimit për COVID-19 ka dalë pozitiv. Po ashtu edhe një pacient i dyshuar me COVID-19 nga qyteti i Klinës, është operuar në Spitalin e Mitrovicës dhe derisa të kthehen rezultatet e testimit të tij, nuk kemi siguri që ekipi tjetër mjekësor është i sigurt”, thuhet në njoftim.

Ai tutje iu ka bërë thirrje qytetarëve t’i shmangin vizitat në spitalin e Mitrovicës deri të mërkurën.

“Pra, për shkak të kësaj situate i lus qytetarët e Mitrovicës që t’i shmangin në maksimum vizitat në Spitalin e Mitrovicës deri të mërkurën mbrëma, përveç kur kanë raste urgjente. Gjithashtu i lus qytetarët e qyteteve tjera, që për aq sa kanë mundësi t’i shmangin shërbimet në Spitalin e Mitrovicës dhe të drejtohen direkt për në ShSKUK, pasi që spitali ynë po përballet me vështirësi në ofrimin e shërbimeve pas rasteve të fundit”, ka shtuar ai.

Ai thotë se nesër në orën 11:00 ka ftuar mbledhje urgjente të Shtabit Emergjent i Komunës së Mitrovicës, ku do të marrë pjesë edhe Drejtori i Spitalit Mitrovicës, nga e cila thotë se do të dalin me qëndrim të përbashkët për situatën e krijuar.