​Nis punimet Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe

Në organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, sot në Prizren nisi punimet Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë.

Në këtë seminar tradicional po marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, mësimdhënës që jetojnë e veprojnë në diasporë, të angazhuar në procesin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.Zëvendësministri në detyrë i Arsimit të Kosovës, Heset Sahiti, tha se seminari është në funksion të këmbimit të përvojave më të mira të mësimdhënies për fëmijët në diasporë, ruajtjes së gjuhës, traditës, e të kulturës sonë kombëtare.

Ai tha se çdo ditë e më shumë po ndërmerren hapa konkret në jetësimin e marrëveshjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri në fushën e arsimit, duke filluar nga kurrikulat e përbashkëta, tekstet shkollore për diasporën, programe e metodologji të reja të mësimdhënies moderne, për ta bërë sa më atraktiv të mësuarit e gjuhës shqipe.

“Mësimi i gjuhës shqipe nga të rinjtë tanë në mërgim është i rëndësisë së veçantë, pasi mban lidhjet me vendlindjen dhe gjithë trevat shqiptare. Është detyrë dhe përgjegjësi e dy qeverive tona që të mbështesim këtë proces në vazhdimësi me të gjitha mundësitë që disponojmë”, tha ai. Zëvendësministri Sahiti, gjithashtu tha se MASHT e vlerëson punën dhe sakrificën e mësimdhënësve për angazhimin e palodhshëm për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditën tonë kombëtare. Ndryshe, Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë do të vazhdojë punimet deri më 3 gusht.