​Nga janari e deri tani në QKUK trajtohen 967 pacientë me infarktin e miokardit

Në konferencën e parë ndërkombëtare për trajtimin e hershëm të infarktit të miokardit, e cila po mbahet në Prishtinë, u tha se Kosova ka shënuar progres në trajtimin e hershëm të kësaj sëmundje.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu tha se shëndetësia kosovare është në rrugë të mirë për trajtimin e infarktit të miokardit.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë bërë 3500 procedura invazive lidhur me këtë sëmundje.

Se Kosova nuk qëndron keq në aspektin e trajtimit të kësaj sëmundje  vdekjeprurëse, e ka thënë edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi, sipas të cilit mënyra më e mirë e trajtimit të infarktit të miokardit është PCI.

Bekteshi tutje tha se në këtë klinik nga janari deri në këtë periudhë të vitit janë trajtuar 967 pacientë.

Si sfidë për trajtimin sa më të shpejtë të kësaj sëmundje, kardiologu Tefik Bekteshi ka theksuar kohën deri tek arritja në QKUK.

Në këtë konferencë të parë për trajtimin e hershëm të infarkti të miokardit  kishte pjesëmarrës nga Sllovenia dhe Maqedonia, të cilët treguan përvojat e tyre.