​Nesër përfundon afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore

Nesër është afati i fundit që partitë politike të deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në mbledhjen e sotme të KQZ-së në të cilën u vendos që çdo parti politike e cila do të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, do të ketë të drejtë të shpenzojë për fushatë zgjedhore 934 mijë e 831 euro.

Sipas KQZ-së subjektet politike janë të lejuara të shpenzojnë 1402 euro më pak se shuma në zgjedhjet e mbajtura para më shumë se një viti.

Me vendim të KQZ-së, subjektet e certifikuara do të shpenzojnë 0.5 euro për votues të regjistruar, e ky vendim mbështetet në të dhënat e listës jo-përfundimtare të votuesve sipas së cilës numri i votuesve në Kosovë është 1 milion e 869 mijë e 662 votues.

“Partitë politike kanë të drejtë të shpenzojnë 934 mijë e 831 euro gjatë fushatës zgjedhore”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Daka gjithashtu bëri të ditur afatin për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

“Nesër deri në orën 18:00 të gjitha partitë politike kanë të drejtë të deklarojnë koalicionet eventuale këtu në KQZ”, tha ajo.

Në mbledhjen e sotme, KQZ bëri të ditur se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.

Ndër të tjera, KQZ vendosi edhe për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve që janë jashtë Kosovës.

“Nga një email adresë aplikuesi mund të aplikojë për vetën dhe rrethi ne ngushtë familjarë që kanë të njëjtin mbiemër. Në formularët e aplikimit për regjistrim aplikuesi duhet të shënojë vetëm numri ne tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari. KQZ do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit, kjo është me rendësi të ceket, nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, tha Daka.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.