​Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për formimin e qeverisë konsiderohet kthim mbrapa për Kosovën

Tentativa e sotme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për të formuar koalicionin qeverisës, por kësaj radhe me prezencën e shteteve të Quintit po konsiderohet si kthim mbrapa për Kosovën, ku ndërkombëtarët kanë marrë vendime për mënyrën e formimit të institucioneve.

Por për analistët politikë ndikim më të madh për arritjen e marrëveshjes qeverisëse mund të kenë takimet bilaterale të ambasadorëve në dy partitë politike.

Njohësi i rrethanave politike, Faton Abdullahu thotë për KosovaPress se mosbesimi i ndërsjellët mes dy partive që po pretendojnë të formojnë qeverinë ka sjellë këtë gjendje që të ndërhyjnë ambasadat e huaja. Për të, ndërmjetësimi i tyre është i panevojshëm, pasi sipas tij kjo fazë e Kosovës ka përfunduar dhe se subjektet politike duhet që vet të deklarojnë nëse janë ose jo për të bashkëpunuar në ekzekutiv.

“Po kthehemi prapa në një epokë ku bashkësia ndërkombëtare ka pas ndikim shumë të madh si është krijuar qeveria, me kënd është krijuar Qeveria dhe çfarë ka bërë ajo në të ardhmen”, u shpreh ai.

Por, ndryshe u shpreh njohësi tjetërpolitik, Blerim Vela, sipas tij takimi i sotëm ka karakter vetëm informativ.

“Përfshirja e shteteve anëtare të Quintit dhe shefes së zyrës së BE-së është thjesht e karakterit informativ për momentin. Nuk e konsideroj se është takim ku do të ketë ndërmjetësim mes palëve, por thjesht palët do t’i njoftojnë ambasadat e pesë shteteve kyçe se si janë duke rrjedhur negociatat mes tyre dhe cilat do të jenë pikat ndarëse mes tyre”, thotë ai.

Për analistin politik, Blerim Vela ndikim më të madh në arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës do të kishin takimet e ambasadorëve në selitë e dy partive sesa ky formati i gjerë i cili do të mbahet sot.

“Më tepër mund të kenë ndikim takimet që mbahen në nivel bilateral që ambasadorët e caktuar. Që kemi pa një dinamik në të kaluarën sidomos nga ambasadori amerikan dhe ai britanik. Në qoftë se shohim ngritje të angazhimit të tyre edhe pas vizitës të Grenell mund të shohim ndonjë ndërhyrje të akterëve të huaj në procesin e negociatave në mes LDK-së dhe LVV-së”, vijoi ai.

Gjatë ditës për këtë takim reaguan edhe vet përfaqësuesit e shteteve të Quintit në Kosovë, të cilat theksuan se nuk do të jenë si palë ndërmjetësues në këtë takim.

Edhe pas më shumë se tre muaj negociata, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike nuk kanë arritur që të formalizojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje. Derisa dallimet shfaqen në mënyrën e ndarjes së posteve.